Pas një rrugëtimi intensiv që përfshiu debate në 35 bashki dhe përzgjedhjen e ekipeve më të mira nga shkollat e mesme në mbarë vendin, Re-Debate VIII – Kampionati Kombëtar i Debatit hyn në kulmin e tij me fazat përmbyllëse të garës, që do të zhvillohen gjatë muajit maj në Tiranë.
Faza Eliminatore – 19-20 Maj 2025
Në ambientet e Destil Creative Hub, 16 ekipet finaliste do të përballen në Debatet Eliminatore, të ndara në katër seanca gjatë dy ditëve. Kjo fazë do të përcaktojë 8 ekipet më të mira që do të kalojnë më tej në fazën çerek-finale.
Çerek-Finalet – 21 Maj 2025
Po në Destil, do të zhvillohen katër përballje çerek-finale, ku secili debat do të jetë vendimtar për kualifikimin në gjysmë-finale. Ekipet do të jenë të vendosura për të dëshmuar aftësi të larta në analizë kritike, argumentim dhe komunikim efektiv.
Gjysmë-Finalet – 22 Maj 2025
Në ambientet e GIZ Albania, katër ekipet e kualifikuara do të përballen në dy gjysmë-finale, për të përcaktuar cilat dy shkolla do të garojnë për trofeun kombëtar dhe cilat do të sfidojnë njëra-tjetrën për vendin e tretë.
Finalja e Vogël dhe Finalja e Madhe – 23 Maj 2025
Finalja e garës do të mbahet në Roof Top-in e GIZ Albania dhe do të përbëhet nga dy seanca:
-
09:30 – 11:30: Finalja për vendin e tretë
-
12:00 – 15:00: Finalja e Madhe, për të shpallur kampionin kombëtar të Re-Debate VIII
Pas përfundimit të debateve, do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe mbyllja zyrtare e Edicionit VIII, me pjesëmarrjen e institucioneve partnere dhe përfaqësuesve të komunitetit arsimor dhe qytetar.
Rreth projektit
Re-Debate VIII është pjesë e projektit të GIZ Albania “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të Jetueshme”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), në partneritet me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe zbatuar nga LIBURNETIK Organisation gjatë periudhës Tetor 2024 – Qershor 2025.
Kjo platformë unike synon të zhvillojë mendimin kritik, qytetarinë aktive dhe përfshirjen e të rinjve në çështje me rëndësi për zhvillimin e qëndrueshëm dhe shoqërinë shqiptare.