Nis Edicioni VIII i Kampionatit Kombëtar të Debatit “Re-Debate” me fillimin e trajnimeve

Me një fokus të veçantë në ekonominë qarkulluese dhe zhvillimin e qëndrueshëm, edicioni i VIII i Kampionatit Kombëtar të Debatit “Re-Debate” është gati për të nisur. Ky kampionat, i organizuar dhe zbatuar nga Organizata LIBURNETIK, vjen këtë vit në kuadër të projektit të GIZ “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të Jetueshme” #EU4CELC, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Fillimi i Trajnimeve

Përpara nisjes së debateve, pjesëmarrësit do të përfitojnë nga një program i strukturuar trajnimi, i cili do të nis më 17 Shkurt 2025 me sesionet e para për nxënësit dhe mentorët nga shkollat e përzgjedhura. Këto trajnime do të zhvillohen online, duke përfshirë teknika të debatit, të menduarit kritik dhe ndërtimin e argumenteve të forta. Përmes këtyre sesioneve, nxënësit do të kenë mundësinë të përgatiten për fazat konkurruese të kampionatit.

Në kalendarin e trajnimeve janë përfshirë shkolla nga qytete të ndryshme si Shkodra, Lezha, Tepelena dhe të tjera, ku pjesëmarrësit do të zhvillojnë aftësitë e tyre komunikuese dhe argumentuese për të qenë sa më të përgatitur për debatet rajonale dhe kombëtare. Trajnimet e para do të zhvillohen për shkollat “28 Nëntori” (Shkodër) dhe “Abaz Shehu” (Tepelenë), ndërsa për qytete të tjera do të vijojnë sipas kalendarit të përcaktuar.

Nr. Trajnimi Nr. Shkolle Qyteti Shkolla Data Ora
1 1 Shkoder 28 Nëntori 17 Shkurt 2025 ora 09.00
2 Shkoder Jordan Misja
3 Lezhë Hydajet Lezha
4 Lezhë Rogacionistët
2 5 Tepelene Abaz Shehu 17 Shkurt 2025 ora 11.30
6 Kelcyre Sejfulla Maleshova
7 Gjirokaster Fryme Dashurie
8 Permet Naim Frasheri
3 9 Gjirokaster Asim Zeneli 18 Shkurt 2025 ora 09.00
10 Sarande Hasan Tahsini
11 Sarande Teknike – Ekonomike (VET)
12 Himare Spiro Gjiknuri
4 13 Prrenjas Sami Frasheri 18 Shkurt 2025 ora 11.00
14 Pogradec Gjergj Pekmezi
15 Gramsh Shefqet Guzi
16 Cërrik Tomorr Sinani
5 17 Belsh Sami Frasheri 19 Shkurt 2025 ora 09.00
18 Kukes Havzi Nela
19 Rroksovec Adem Vrapi
20 Kukes Havzi Nela
6 Trajnimi i Gjykatësve 20 Shkurt 2025 ora 11.00
7 Trajnimi i Mësuesëve 20 Shkurt 2025 ora 14.00
8 Trajnim me Nxënësit (Ripërsëritje e Trajnimit te dt. 17/18/19 për nxënësit që mund të kenë munguar apo kanë nevojë për përsëritje) 21 Shkurt 2025 ora 16.00

 

Një Platformë për Debat dhe Mendim Kritik

Ky kampionat synon të angazhojë të rinjtë e shkollave të mesme nga 15 bashki të Shqipërisë për të debatuar mbi çështje të rëndësishme që lidhen me menaxhimin e mbetjeve, riciklimin, reduktimin e ndotjes dhe qasjet inovative për një ekonomi më të qëndrueshme. Përmes këtij edicioni, nxënësit do të zhvillojnë aftësitë e tyre në të menduarit kritik, komunikimin publik dhe argumentimin logjik, duke u përgatitur për të qenë qytetarë aktivë dhe të angazhuar në çështjet mjedisore dhe zhvillimin e vendit.

Qytetet dhe Shkollat Pjesëmarrëse

Këtë vit, “Re-Debate” do të zhvillohet në 15 bashki të ndryshme të vendit, duke përfshirë: Pogradecin, Përmetin, Shkodrën, Kukësin, Lezhën, Cërrikun, Belshin, Roskovecin, Prrenjasin, Gramshin, Tepelenën, Gjirokastrën, Sarandën, Këlcyrën dhe Himarën. Në fazën fillestare do të marrin pjesë 18 shkolla të mesme, me 36 ekipe në total, të cilat do të konkurrojnë në fazat e mëtejshme rajonale dhe finale.

Struktura e Kampionatit

Kampionati do të organizohet në disa faza kryesore:

  • Trajnimet – një fazë parapërgatitore ku nxënësit marrin mësime mbi debatin, argumentimin dhe ekonominë qarkulluese.
  • Debatet Paraprake – zhvillohen në secilën nga shkollat pjesëmarrëse për të përzgjedhur ekipet më të mira.
  • Debatet Rajonale – ku ekipet e përzgjedhura nga faza paraprake do të përballen me njëra-tjetrën.
  • Finalja Kombëtare – faza përmbyllëse e kampionatit do të mbahet në Tiranë, ku ekipet më të mira do të garojnë për titullin e kampionit.

Më shumë se një Garë – Një Hapësirë për Inovacion

Përveç konkurrencës, “Re-Debate” është një mundësi unike për të rinjtë për të mësuar dhe ndikuar në shoqëri. Nëpërmjet trajnimeve të dedikuara për debat, mentorimit nga ekspertë dhe pjesëmarrjes aktive në diskutime mbi ekonominë qarkulluese, ky kampionat shërben si një platformë për të edukuar gjeneratat e ardhshme mbi rëndësinë e një zhvillimi të qëndrueshëm.

Me një traditë tashmë të konsoliduar, “Re-Debate” vazhdon të jetë një nga iniciativat më të rëndësishme edukative në Shqipëri. Në një kohë kur temat e qëndrueshmërisë janë më të rëndësishme se kurrë, ky kampionat i jep zë brezit të ri për të formësuar të ardhmen e vendit.

Për më shumë informacion mbi oraret dhe pjesëmarrjen në trajnime, vizitoni www.redebate.al ose ndiqni zhvillimet në rrjetet sociale zyrtare të kampionatit.

Leave A Comment