Re-Debate, Kampionati Kombëtar i Debatit në Edicionin e tij të Gjashtë mbërrin në destinacionin final pas një rrugëtimi për më shumë se 6 muaj në të gjithë Shqipërinë duke angazhuar 47 shkolla të mesme të përgjithshme dhe profesionale nga i gjithë vendi duke nxitur mendimin kritik përmes debatit.
Pas fazës së trajnimeve që u zhvilluan në muajt Janar – Mars, u zhvilluan debatet rajonale ku nxënësit patën mundësinë të debatonin sipas formatit IDEA duke i mundësuar që të forcojnë aftësitë e tyre analitike, aftësitë e tyre argumentuese si edhe atë që ky program ka në fokus, mendimin kritik. Një program i zbatuar nga LIBURNETIK Organisation, Re-Debate, Kampionati Kombëtar i Debatit synon të krijojë një brez të ri të qytetarëve të informuar dhe të angazhuar, të aftë për të kontribuar në mënyrë të rëndësishme në diskursin publik dhe që kanë mundësinë të jenë mendues të mirë kritik.
Në datat 14 dhe 15 Qershor u zhvilluan debatet e fazës së tretë, Eleminatoret, Çerek-Finalet dhe Gjysmë-Finalet të cilat përcaktuan katër shkollat që do të marrin pjesë në Ditën e Finales, 23 Prill 2023.
Përkatësisht, Shkollat e Mesme “Petro Nini Luarasi”, Tiranë dhe “Naim Frashëri”, Durrës do të garojnë për vendin e parë dhe të dytë ndërkohë që shkollat “Qemal Stafa”, Tiranë dhe “Jordan Misja”, Shkodër për vendin e tretë dhe të katërt.
LIBURNETIK është i vendosur të vazhdojë të promovojë aftësitë e mendimit kritik dhe debatit tek nxënësit e shkollave të mesme në Shqipëri. Vazhdimisht Organizata inkurajon të gjitha shkollat e mesme të nxisin krijimin e klubit të debatit në shkollat e tyre me qëllim krijmin e një brez të ri sa më të informuar dhe të përfshirë, të cilët mund të kontribuojnë në mënyrë pozitive në zhvillimin e shoqërisë sonë.
Edicioni i Gjashtë i Re-Debate, Kampionati Kombëtar i Debatit zbatohet nga LIBURNETIK Organisation me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, si edhe UNICEF përmes projektit “Qëndro” i mundësuar nga Qeveria Italiane, AMSHC. Mbështetës në këtë edicion janë dhe koorporata si ANTEA Cement, Bukinist dhe TIBO.